Policët e hashashit, Xhafaj: Prokuroria nuk kërkoi të mbahen nën vëzhgim

25/11/2017 14:05

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj konfirmoi se ka depozituar kallëzim penal për dekonspirimin e arrestimit të tre ish zyrtarëve të policisë që prej disa ditësh janë në arrati.

Xhafaj tha se prokuroria nuk i ka lënë detyrë policisë që ish shefat, të mbahen në vezhgim.

“Së pari, ne nuk e dimë në mes të ditës apo natës. Këtë mund ta dini ju. Nëse keni ndonjë fakt plus është mirë që t’ia jepni Prokurorisë. Së dyti që është e rëndësishme, nuk ka qenë nën vëzhgimin tonë. Në momentin që është vënë në dijeni Policia atëherë ka filluar procesi i mbikëqyrjes nga Policia. Përpara këtij fakti nuk ka pasur dijeni Policia ose më saktë nuk i është lënë kjo detyrë Policisë”, tha Xhafaj.

Sipas ministrit të Brendshëm as Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe ankesave nuk pa patur dijeni për urdhër arrestet deri të mërkurën.

“Duhet të merreni informacion më të plotë, për shkak sepse deri në datën 22 që ka marrë aktet SHÇBA-ja nuk ka pasur dijeni për këtë gjë, ju thashë. Çfarë ka ndodhur më përpara duhet të pyesni Prokurorinë se më kë e ka pasur nën vëzhgim, jo Ministrinë”, tha Xhafaj.

Ish drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela, ish shefi kundër krimit të organizuar Gjergji Kohila dhe ish shefi i stacionit policor të Dhërmiut Sokol Bode vijojnë të mbeten në arrati por hetuesit dyshojnë se ata fshihen në Shqipëri. Ndonëse për ta ka të dhëna daljesh në sistemin Tims prokuroria dyshon se nuk mund të jenë regjistruar në hyrje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA