NBA, Golden State shkatërron Chicago Bulls

25/11/2017 12:49

Pas pushimit për ‘Ditën e Falenderimeve’, skuadrat e NBA u kthyen në parket. Golden State edhe pa Kevin Durant e harroi menjëherë humbjen me Oklahoma dhe këtë e bëri në dëm të Chicago Bulls.

Në Oracle Arena të Oaklandit, skuadra kampione e NBA e shkatërroi totalisht Bulls me rezultatin 143-94, duke e zbritur atë në vendin e fundit të Konferencës së Lindjes.

Golden State e dominoi totalisht këtë ndeshje ku Curry shënoi 26 pikë, ndërkohë që shkëlqyen edhe Klay Thompson me 29 pikë e Young me 17 pikë.

Cleveland mundi Charlotte 100-99 duke regjistruar fitoren e 7 radhazi, që e ngjit atë në vendin e tretë në Konferencën e Lindjes. Protagonisti i sfidës u bë i zakonshmi LeBron James me 27 pikë, 13 assist dhe 16 topa në tabelë. Për skuadrën e Hornets nuk mjaftuan 20 pikët e 13 topat në tabelë të Howard për të evituar humbjen e 8 në 9 ndeshjet e fundit në kampionat.

Bostoni rikthehet te suksesi në NBA pas disfatës ndaj Miami Heat, që i ndërpreu serinë e 16 fitoreve radhazi. Skuadra e Celtics mundi Orlandon 118-103, duke e ruajtur vendin e parë në Konferencën e Lindjes. Tashmë paraqitjet e shkëlqyera të Kyrie Irving nuk përbëjnë më lajm me basketbollistin e Boston, që këtë radhë e mbylli takimin me 30 pikë të shënuara.

Në krahun tjerër Orlando zhytet edhe më thellë në krizë pasi për skuadrën nga Florida kjo ishte humbja e 7 radhazi. Në ndeshjet e tjera, Atlanta u kthye te fitorja, teksa mposhti New York 116-104, Oklahoma humbi 98-99 me Detroit, pavarësisht 27 pikëve të Westbrook, ndërsa Denveri fitoi me Memphis 104-92, duke regjistruar suksesin e pestë radhazi në parketin e tij. Fitore shënuan edhe Miami që mposhti Minnesota 109-97 dhe New Orleans, që mundi Phoenix 115-91.

 

Top Channel