Tre deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Donika Kadaj Bujupi dhe Albulena Haxhiu u liruan nga paraburgimi pasditen e së shtunës.
Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari i cituar nga mediat kosovare tha se Kurtit dhe Kadaj Bujupit u është caktuar masa e arrestit shtëpiak, ndërsa ndaj deputetes Haxhiu gjykata nuk ka caktuar ndonjë masë sigurie.
Pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje u ndaluan të premten në oborrin e Parlamentit kosovar. Ndaj tyre ishte lëshuar një urdhërarrest nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës, për shkak të mosparaqitjes në seancën gjyqësore lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës vitin e kaluar në Parlament. Të premten, policia përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e deputetëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje që u përpoqën të kundërshtonin arrestimin.
Kurti, Kadaj Bujupi, Haxhiu e gjithashtu deputeti tjetër Faton Topalli akuzohen për përdorim të armës ose mjeteve te tjera te rrezikshme dhe pengim te personit zyrtar në kryerjen e detyrës.
Vitin e kaluar, për më shumë se gjashtë muaj deputetët e opozitës organizuan protesta dhe bllokuan punën e parlamentit me gaz lotsjellës kundër marrëveshjeve të arritura me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Top Channel