Arrestimi i Kurtit, Ymeri: U prangosën brutalisht; Haradinaj shpreh keqardhje

24/11/2017 13:23

Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri reagoi ashpër ndaj ndalimit të Albin Kurtit dhe dy deputeteve të tjera të partisë që ai drejton. U prangosën brutalisht, tha Ymeri.

Në deklaratën për shtyp, ku kërkonte lirimin e menjëhershëm të tyre, Vetëvendosja pretendon se ndalimi i ligjvënësve të saj është bërë për shkak të kundërshtimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, e përbën një “vazhdimësi” të mendësisë së ekzekutivit të kaluar.

Kurti u ndalua nga Policia e Kosovës në momentin që po hynte në ndërtesën e Kuvendit. Forcat e Rendit vepruan mbi bazën e një urdhërarresti të lëshuar në lidhje me incidentin e një viti më parë, kur në Parlamentin e Kosovës u përdor gaz lotsjellës.

I njëjti mandat ishte lëshuar edhe për dy deputetet e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi. Motivacioni është i njëjtë: mosparaqitje në seancën gjyqësore, gjë që detyroi gjykatësin e çështjes të kërkojë masa detyruese.

Albin Kurti është njëri prej deputetëve të Vetëvendosjes, që akuzohet për hedhjen e sprajit dhe gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancave të vitit të kaluar, kur tentohej të bllokohej ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe ngritja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në atë kohë, kur në opozite ishin edhe dy parti që sot janë në qeveri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Nisma për Kosovën, forcat e bllokut opozitar organizuan për më shumë se 6 muaj protesta, e paralizuan punimet e Parlamentit.

Kryeministri Haradinaj shprehu keqardhje për këto arrestime, por shtoi se deputetët duhet të paraqiten në gjykatë sa herë që ata thirren.

Top Channel