Një krim i rëndë brenda familjes ndodhi paraditen e së enjtes në fshatin Karpen të Kavajës. Një 50-vjeçar vrau me thikë bashkëshorten, nënën e 5 fëmijëve të vet.
Ngjarja ndodhi në shtëpinë e familjes Metushi ku Samiu 50-vjeç në gjaknxehtësi e sipër ka goditur disa herë me thikë të shoqen, Sosen. Në oborrin e shtëpisë qëndron i tronditur pa mundur të thotë asgjë, një nga djemtë e çiftit ndërsa motra e viktimës në gjendje të rënduar shprehet se askush nuk mundi ta parandalojë krimin.
“Nuk ka gjë për të folur. Ishit të zotit ta parandalonit?! Jo. Ikni, na lini rehat”, shprehet ajo.
Fqinjët e njihnin familjen Metushi, si një familje të rregullt pa probleme të mprehta në çift. Ata kishin vite që kishin ardhur nga fshatrat e Elbasanit dhe merreshin kryesisht me bujqësi.
“Njerëz të mirë”, shprehet fqinja e familjes.
Policia arrestoi menjëherë autorin e krimit, i cili në deklarimet e para është shprehur se se sherri me gruan ka nisur pasi ajo “nuk i rrinte gati” dhe nuk i shërbente siç duhej.
Top Channel