Shtohen trupat në Afganistan, Xhaçka nga Kabuli: 60% më shumë në 2018

22/11/2017 10:06

Vitin e ardhshëm Shqipëria do të shtojë me 60% numrin e trupave në Afganistan. Mes trupave të reja që do të dislokohen do të jete edhe një kontingjent i Forcave Speciale.

Lajmin e dha ministrja e Mbrojtjes gjate një vizite një ditore në Kabul. Xhaçka vizitoi komandën qëndrore të NATO-s dhe Aeroportin ndërkombëtar “Hamid Karzai”, ku kryen misionin kontingjenti i 6-të.

“Ne të gjithë ju jemi mirënjohës për kontributin që jepni dhe përfaqësimin dinjitoz tuajin përkrah vendeve të tjera aleate të NATO-s u tha ministrja komandove shqiptare.

Në një videokonferencë nga Tirana që u transmetua në kanalin qeveritar në Facebook ERTV, edhe kryeministri Rama deklaroi se ndonëse nuk është bërë gjithçka që efektivët shqiptarë në misionet jashtë vendit meritojnë, vëmendja e qeverisë për ta është maksimale.

Në Afganistan shërben një kontigjent prej 83 trupash të dislokuar në Kabul, Herat dhe Mazar e-Sharif. Me shtimin e trupave vitin e ardhshëm, kontributi i Shqipërisë pritet të përqëndrohet në “Force Protection”, në rol këshillimi dhe asistencë në Komandën e Perëndimit në Herat.

Gjatë qendrimit në Afganistan, Ministrja takoi Komandantin e Misionit të NATO-s Resolute Support, gjeneralin John Nicholson i cili sipas njoftimit nga kjo ministri ka përgëzuar Xhaçkën për cilësinë e përgatitjes së oficerëve shqiptarë që siç tha ai, janë ndër më të mirët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA