Uber ka mbuluar një sulm kibernetik që ka prekur 57 milionë klientë dhe shoferë. Lajmi është konfirmuar së fundmi nga vetë kompania, sipas të cilës, shkelja ka ndodhur në 2016 dhe gjithçka ishte mbajtur e fshehur nga kompania që i kishte paguar hakerave 100 mijë dollarë për të fshirë të dhënat.

Ish drejtues i kompanisë, Travis Kalanick, ishte në dijeni të ngjarjes, shkruan Bloomberg që edhe ka publikur lajmin. “Hakerat gjetën 57 milionë emra, adresa emaili dhe numra telefonash celularë”, tha Uber. Në këtë shifër, 600 mijë ishin shoferë, emrat dhe targat e të cilëve u ekspozuan.

“Pavarësisht se nuk kemi parë prova të mashtrimit apo manipulimit të të dhënave, ne po monitorojmë llogaritë e prekura dhe i kemi shënuar ato për më shumë mbrojtje nga mashtrimet”, thanë zyrtarët e kompanisë. “Asgjë nga kjo nuk duhet të kish ndodhur dhe ne kërkojmë ndjesë. Por ne nuk mund të shuajmë të shkuarën dhe angazhohemi që do të mësojmë nga gabimet tona”, vijon Uber.

Pas publikimit të lajmit, shefi i sigurisë së Uber, Joe Sullivan, la detyrën. Vetë Uber nuk ka konfirmuar detaje të sulmit kibernetik, por sipas raportit të Bloomberg, dy hakera kanë mundur të kenë akses në një zonë private të Github, një burim online e që andej ata kanë gjetur të dhënat e logimit të Uber në shërbimet e uebit të Amazon që kompania i përdor për të ruajtur të dhënat. E në këtë rast, ka gjasa që mbulimi i ngjarjes të rezultojë më shqetësues për Uber se sa vetë sulmi kibernetik. Kompanive u kërkohet të denoncojnë sulmet domethënëse kibernetike, tek rregullatorët, diçka që në këtë rast nuk është bërë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA