Në radhë për “Vetting”, qytetarët mësyjnë Komisionin, kërkojnë drejtësi

22/11/2017 19:58

Pak ditë më parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit publikoi një formular, të cilin, çdo qytetar që ka informacion për gjyqtarë dhe prokurorë që kanë fshehur pasuritë, për gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kërkuar para në këmbim të drejtësisë, mund ta plotësojë dhe ta dorëzojë pranë këtij institucioni.

Por megjithëse formulari është tepër i qartë, qytetarët kanë vërshuar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe deri më tani askush nuk ka denoncuar korrupsionin. Por kërkon rishikim të çështjeve gjyqësore apo të dosjeve hetimore.

Gëzim Marticanaj humbi djalin 7-vjeçar në një aksident automobilistik, por Prokuroria i pushoi hetimet dhe askush nuk u shpall fajtor. Bashkë me fatkeqësinë që i ra, Gëzimi nisi luftën për drejtësi dyerve të gjykatave që e zvarrisin që prej 2011 nga shkalla në shkallë. Pasi dëgjoi apelin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, burri udhëtoi nga Shkodra drejt godinës së Vettingut për të denoncuar sepse është i bindur meqë ai humbi, fituesi ka paguar. Por ai s’ka informacion shtesë ndaj do ja kërkojë Komisionit të Kualifikimit ta bëjë këtë gjë.

“Pres drejtësi për vete dhe për të tjerët sepse këta gjyqtarë kanë shumë çështje në duar, unë nuk kam paguar s’ka shans edhe humba djalin edhe të paguaja?”, u shpreh Gëzimi Marticanaj.

Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk rishikon vendime dhe as jep drejtësi. Komisioni është një nga organet e Vettingut që do të rivlerësojë gjyqtarët e prokurorët, siç po veprohet aktualisht me 74 subjektet e para. Por kjo grua ka dëgjuar aq shumë për Vettingun sa mendon se çdo hall mund t’i zgjidhet prej tij.

“Unë pres nga Vettingu, jam 100 për qind e bindur se do na japë drejtësi dhe se do fusë njerëzit në ish-pronën publike prej të cilës janë nxjerrë”, shprehet Nimete Buziu.

“Kam kallëzim për rreth 80 gjyqtarë dhe prokurorë, kam 18 vjet gjyqeve. Kam 80 përqind në një SH.A dhe nuk e di ku është tashmë”, thotë Flamur Kalivaçi.

“Ishalla, shpresoj shumë të marr drejtësi”, shprehet Vojsava Pargu.

Sipas burimeve, deri më tani janë ankuar 150 shtetas kryesisht për çështje pronash. Pastaj vijnë dosjet penale, ku pretendohet pafajësi. Burimet thonë se dokumentet që qytetarët po dorëzojnë, do të merren në konsideratë gjate procesit te Vettingut për çdo gjyqtar dhe prokuror .

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA