Mandati i Adriatik Llallës përfundon në 3 dhjetor. Të drejtën për hapjen e procedurës dhe dërgimit në Kuvend të një liste me kandidatët për Prokurorë të Përgjithshëm e ka Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që ende nuk është ngritur.
Atëherë si do të veprohet?
Dy misionet që asistojnë Shqipërinë në fushën e ligjit, ai i Bashkimit Europian, Euralius dhe ai i Shteteve të Bashkuara OPDAT, sugjerojnë që Prokurori i Përgjithshëm i parakohshëm të zgjidhet nga Parlamenti në bazë të ligjit për Prokurorinë e Përgjithshme.
Dy misionet ndërkombëtare flasin qartë për kriteret që duhet të përmbushë personi, të cilit do t’i besohet përkohësisht organi i akuzës.
Euralius dhe Opdat saktësojnë se në periudhën kalimtare mandati i këtij Prokurori të Përgjithshëm do të jetë i përkohshëm dhe së fundmi, dy misionet kujdesen të theksojnë se ligji për regjimin kalimtar nuk përcakton në mënyrë të qartë kuorimin për zgjedhjen e tij, por thjesht parashikon një zgjidhje të përkohshme nëpërmjet një vendimmarrje të Kuvendit.
Kështu, as Kushtetuta, as ligji për Prokurorinë e Përgjithshme nuk e rregullojnë procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjitshëm të përkohshëm. Si përfundim, dispozitat kalimtare përcaktojnë të drejtën dhe detyrimin e Kuvendit për të zgjedhur një prokuror me shumicë të thjeshtë, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Thënë me fjalë të tjera, ky Prokuror i Përgjithshëm i përkohshëm do të mund të zgjidhet edhe me vetëm 36 vota.
Euralius dhe OPDAT thonë se Parlamenti nuk ka autoritet kushtetues, ose ligjor që të zgjasë mandatin e kryeprokurorit aktual, pas skadimit të mandatit të tij.
Përkundrazi, ekziston një dispozitë e qartë që urdhëron emërimin e një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm. Ka qenë ndër të tjera kjo çështje që ka mbledhur këtë të martë anëtarët e mazhorancës në komisonin parlamentar të ligjeve më kryeministrin.
Por burimet saktësojnë se është diskutuar edhe shkarkimin e Klement Zgurit, I vënë në krye të KQZ-së me marrëveshjen politike të 18 majit. Nëse Zguri shkarkohet, kjo do të ishte prova institucionale se marrëshja është politikisht e vdekur.
Top Channel