Golden State i bashkohet Houston Rockets në krye të Konferencës së Perëndimit të kampionatit amerikan të basketbollit, NBA.
“Warriors”-at mposhtën në ndeshjen e radhës Brooklyn Nets, në “Barclays Center”, me rezultatin 118-111. Ndeshja u duk e mbyllur në favor të kampionëve në fuqi që pas 24 minutave të para, kur Golden State shënoi rezultatin 64-42.
Pas pushimit të ndeshjes, Brooklyn u përpoq të rikthehej në lojë falë rezultatit të pjesshëm 42-34, por Golden State rivendosi sërish distancën me kundërshtarët, falë 7 pikëve në dy minutat e fundit të Klay Thompson.
Për Golden State mungonte në parket Kevin Durant, ndërkohë që Stephen Curry e mbylli takimin me 39 pikë, 22 nga të cilat i shënoi në pjesën e parë, 7 asiste dhe 11 topa në tabelë.
Fitore shënoi edhe Los Angeles Lakers, që mposhti Denverin me rezultatin 127-109. Në “Staples Center”, protagonist për skuadrën kaliforniane u bë Lonzo Ball, që në këtë takim regjistroi një bilanc me 11 pikë, 11 asiste dhe 16 topa në tabelë, statistika këto që i bashkohen 45 pikëve të shënuara në total nga Randle dhe Lopez.
Në krahun tjetër, për Denverin nuk mjaftuan 20 pikët e Harris për të evituar disfatën, që është e shtata sezonale për “Nuggets”.
Në ndeshjet e tjera, Toronto fitoi me Washingtonin 100-91, Detroit fitoi me Minnesotën 100-97, ndërsa Phoenix mposhti Chicago Bulls 113-105.
Top Channel