Itali, merr fund epoka “Tavecchio”. Dorëhiqet kreu i Federatës së Futbollit

20/11/2017 13:01

Ashtu siç ishte parashikuar më parë, Carlo Tavecchio dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC). Gjithçka ndodhi në mbledhjen e Këshillit Federal të këtij institucioni, që zgjati vetëm 15 minuta.

Tavecchio, që pak orë përpara kësaj mbledhjeje u duk se nuk kishte ndërmend ta ndërmerrte këtë hap, pasi dëgjoi të gjitha deklaratat e përfaqësuesve të ligave të futbollit italian, në fund u dorëzua duke e lënë bosh vendin e tij në krye të qeverisë së futbollit italian.

Por jo vetëm kaq, Tavecchio kërkoi dorëheqjen edhe për të gjithë anëtarët e Këshillit Federal, kërkesë kjo që është pranuar. Largimin e Tavecchios dhe anëtarëve të këtij këshilli e kërkuan të gjithë, duke nisur nga sindikata e futbollistëve, drejtuesit e Lega Pro, politikanët dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI), Giovanni Malago.

Dorëheqja e Carlo Tavecchios erdhi një javë pas dështimit të përfaqësueses italiane të futbollit në kualifikueset e Botërorit 2018. Të kaltrit u eliminuan në fazën e “play-off”-it nga Suedia, me rezultatin e përgjithshëm 1-0 të vendosur që në ndeshjen e parë, pasi sfida e kthimit u mbyll 0-0.

“Ambiciet politike na penguan që të diskutonim arsyet e këtij eliminimi dhe për këtë arsye unë dhashë dorëheqjen nga posti im”, ishte deklarara e Tavecchios për “Sky Sport”.

Ndërkohë mësohet se, brenda 90 ditëve, Federata Italiane e Futbollit do të organizojë zgjedhjet e reja për postin e presidentit të këtij institucioni.

Top Channel