Grigor Dimitrov është fituesi i “ATP Tour Finals” të këtij viti. Tenisti bullgar mundi në finalen e debutuesve të këtij kompeticioni, David Goffin, ndëshkuesin e dy numrave të parë të botës, Rafael Nadal e Roger Federer.
Rezultati i sfidës së luajtur në “O2 Arena” të Londrës ishte 2-1, me Dimitrovin që e vuajti shumë këtë sfidë me belgun, por që në fund arriti të ngrejë trofeun pas 3 orësh e 22 minutave lojë.
Ajo ishte një ndeshje e luftuar nga të dy tenistët, gjë që tregohet edhe nga kohëzgjatja e saj. Dimitrov arriti të fitojë setin e parë 7-5, edhe pse ishte Goffin ai që mori kryesimin në fillim të këtij fraksioni në 3-1.
Në setin e dytë pati një ekuilibër deri në rezultatin 3-3, kur Goffin fitoi një “game” me shërbimet e Dimitrov për t’u shkëputur më pas në 5-3, e për ta mbyllur këtë set në favorin e tij 6-4, duke barazuar llogaritë e sfidës në 1-1.
Në setin final, Dimitrov u shfaq superior ndaj kundërshtarit të tij, duke e fituar atë 6-3 dhe krejt ndeshjen 2-1, për të siguruar titullin e tij të parë të “ATP Tour Finals”.
Top Channel