Shefi i armëve bërthamore të Arsenalit amerikan tha se do t’i rezistonte çdo urdhri të jashtëligjshëm presidencial, për të lëshuar një raketë.
Gjenerali i forcave ajrore John Hyten, tha se në rolin e tij si kreu i Komandës Strategjike Amerikane, do t’i jepte këshilla presidentit dhe do të priste që të gjendej një alternativë ligjore. Komentet e tij bëhen pak ditë pasi senatorët amerikanë diskutuan autoritetin e presidentit, për të lëshuar një sulm bërthamor.
Disa prej tyre shprehën shqetësimin se presidenti Donald Trump mund të urdhërojë në mënyrë të papërgjegjshme një sulm të tillë. Por senatorë të tjerë mendojnë se presidenti duhet të ketë autoritetin për të vepruar, pa u penguar nga avokatët. Seanca për autoritetin bërthamor të presidentit ishte e para në në shumë se 40 vjet në SHBA dhe nëse emri i kreut të Shtëpisë së Bardhë, nuk do të ishte Donald Trump, mbase nuk do të ishte zhvilluar.
Sidoqoftë, në një ndërhyrje mbase për të qetësuar gjakrat, gjenerali Hyten tha gjatë një forumi sigurie se ai dhe vartësit e tij e mendojnë shpesh mundësinë e një sulmi bërthamor, pasi janë përgjegjës pikërisht për këtë arsenal.
Gjenerali tha se në një rast të tillë, ai këshillon presidentin dhe presidenti jep urdhrin. Nëse urdhri është i jashtëligjshëm, shtoi Hyten, i them presidenti se është i tillë dhe s’mund të zbatohet e më pas gjejmë mundësi të tjera. Nuk është aspak e ndërlikuar, përfundoi gjenerali amerikan.
Top Channel