Zhduket nëndetësja, Argjentina në ankth. Nis operacioni i kërkimit

18/11/2017 13:58

Zhdukja e mistershme e një nëndetëseje me 44 persona në bord, një ndër të cilët grua, po mban Argjentinën me frymën pezull. Bëhet fjalë për një tragjedi, apo thjesht një problem komunikimi?

“Ara San Juan” po lëvizte drejt brigjeve veriore të vendit, kur me të u ndërpre çdo kontakt. Forcat e Armatosura argjentinase pranuan se komunikimi i fundit ishte të mërkurën, e që prej atëherë, mbi fatin e nëndetëses nuk dihet më asgjë.

Mjeti i prodhuar në vitin 1983 në Gjermani po kthehej nga një mision rutinë në Ushuaia, pranë skajit më jugor të Amerikës së Jugut, drejt bazës së saj në Mar del Plata, në jug të Buenos Ajresit. Protokolli i marinës kërkon që një nëndetëse të ngjitet në sipërfaqe në momentin kur lidhja me të shkëputet.

“Ne prisnim që të ngjitej lart. Tani nuk kemi as idenë më të vogël të vendndodhjes së saj. Operacioni i shpëtimit tani është shndërruar në operacion kërkimi, duke qenë se nuk kemi pasur më asnjë kontakt vizual apo radari me nëndetësen. Gjetja e saj ka rezultuar e vështirë, pavarësisht numrit të madh të anijeve dhe avionëve të përfshirë në kërkim”, tha Enrique Balbi, zëdhënës i Marinës argjentinase.

Operacionin argjentinas po e ndihmon edhe një avion vrojtues i NASA-s. Britania dhe vendet e rajonit kanë ofruar gjithashtu ndihmën e tyre. Skenarët e diskutuar të ngjarjes përfshijnë një problem elektrik ose një zjarr në bord, ndërsa marinarët llogaritet të kenë ende rezerva të mjaftueshme oksigjeni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA