Me të marrë postin, Emmanuel Macron nuk humbi kohë por i hyri reformave të thella, që kanë ndeshur në kundërshtinë e shumë francezëve.
Kjo bëri që vetëm 6 muaj pas marrjes së çelësave të pallatit “Elize”, popullariteti i presidentit 39-vjeçar të pësonte rënie të ndjeshme.
Pas 100 ditësh në post, ai është edhe më pak i pëlqyer nga sa kishte qenë përgjatë të njëjtës periudhë paraardhësi i vet jo fort i preferuar prej francezëve, François Hollande.
Udhëheqësi më i ri i Francës që prej Napoleonit, e nisi punën me përmbysje radikale që përfshijnë ndryshime drastike në ligjet e taksave, të punës dhe të pensioneve, e që në muajin shtator sollën një valë portestash masive.
Kritikët e quajnë “presidenti i të pasurve”. Sot vetëm 4 në 10 francezë e aprovojnë performancën e 39-vjeçarit. Muajt e Macronit në pushtet janë pllakosur nga akuza për parregullsi financiare mes pjesëtarëve të qeverisë së tij dhe mosmarrëveshje mbi shkurtimet e planifikuara të mbështetjes për strehimin e njerëzve me të ardhura të ulëta.
Në thelb, megjithatë, deri tani presidenti i ri ka arritur t’i shmangë grevat dhe tubimet masive, që i kanë detyruar qeveritë e mëparshme të tërhiqeshin, e për këtë ka marrë vlerësimin e disa analistëve politikë.
Ajo që e bën Macron të fitojë pikë është përpjekja për ta zgjeruar ndikimin e Francës në botën e jashtme. Që gjatë fushatës elektroale, ai paraqiti një platformë të fortë proeuropiane dhe në një fjalim pak javë më parë skicoi vizionin e një BE-je më të fortë dhe më të integruar.
Top Channel