
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka mbledhur këtë të premte në një takim 12 prefektët e sapoemëruar, për të diskutuar me ta përballimin e emergjencave.
“Prioriteti ynë kryesor është garancia e sigurisë për komunitetin në çdo fshat e qytet. Duhet një planifikim i qartë masash për parandalimin dhe menaxhimin e emergjencave”, ka thënë Xhaçka.
Ministrja e Mbrojtjes u ka bërë të qartë vartësve se në raste emergjencash do t’u duhet të dalin në terren, për të njohur nga afër problematikat e krijuara.
“Duhen plane të koordinuar mirë dhe kapacitete të nevojshme që garantojnë zgjidhje”, ka vijuar Xhaçka, duke shtuar se, krah Emergjencave Civile do të jenë edhe Forcat e Armatosura.
Në ditët në vijim, ministrja do të thërrasë në një takim gjithë kryetarët e bashkive në vend dhe drejtuesit e njësive administrative, për të koordinuar masat dhe për të dhënë orientimet e duhura për përballimin e emergjencave në ditët e vështira të dimrit.
Top Channel