Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi bashkojnë forcat në luftën kunder sfidave që pengojnë integrimin Euro-Atlantik të Evropes jug-lindore.

Në deklaratën e përbashkët pas takimit të dytë të ministrave të Jashtëm në Durrës, tre vendet zotohen se së bashku me anëtarët e tjerë të Aleancës do të angazhdohen për t’u bërë ballë kërcënimeve që i kanosen stabilitetit dhe sigurisë së zonës Euro-Atlantike.

“Komunikimi strategjik dhe proceset integruese të besueshme duhet të përshpejtohen me qëllim që t’i kundërvihen këtyre ndikimeve dhe të forcojnë elasticitetin duke konsoliduar stabilitetin dhe sigurinë e Evropës Juglindore”, thuhet në deklaratën e përbashkët në përfundim të takimit trepalësh të Adriatikut.

“Zërat tanë në Nato, po dhe në struktura të tjera përfshirë dhe integrimin në BE janë më të fuqishëm së bashku dhe Kroacia do të jetë jo vetëm një avokate e mirë për dy vendet tona aspirante po dhe një mbështetje reale me ekspertizën e saj”, deklaroi ministri shqiptar Ditmir Bushati.

Duke folur për çështjet e fqinjësisë, ministri Bushati tha se ecuria e bisedimeve me Greqinë është në një rrugë më të mbarë seç ka qenë, ndërsa përsa i përket çështjes së demarkacionit tokësor mes Kosovës dhe Malit të Zi, u shpreh se Shqipëria nxit Kosovën për një zgjidhje të pranueshme të çështjes.

“Shqipëria është e qartë në lidhje me demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ne e nxisim Kosovën për një zgjidhje të pranueshme për demarkimin tokësor. Mali i Zi mbetet një fqinj i mirë për Kosovën dhe në një të ardhme jo të largët do të ketë zgjidhje të arsyeshme për këtë çështje”, tha Bushati.

Në fund të takimit tripalësh të Adriatikut, ministrat premtuan përshpejtimin e zbatimit të projekteve të Korridorit Blu dhe të Korridorit Adriatiko-Jonian, që do të lidhin këto vende të rajonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA