Rreth 70-100 anarkistë, mes të cilëve edhe disa shqiptarë, kanë bllokuar portat e Politeknikumit të Athinës, duke penguar ceremonitë përkujtimore që do të zhvillohen më 17 nëntor në kujtim të viktimave të revoltës studentore të 1973-shit, ku dhjetëra studentë u shtypën me tank dhe u ekzekutuan prej juntës ushtarake greke.
Vendimi i grupit të anarkistëve për mbylljen e portave të institucionit simbol të rezistencës studentore shkaktoi reagime të ashpra të grupimeve të tjera anarkiste, rreth 1.000 anëtarë të të cilave këputën zinxhirët dhe hynë brenda oborrit të Politeknikumit, duke larguar me dhunë uzurpatorët.
Ndonëse situata u tensionua fillimisht, në vazhdim u gjet paqja mes fraksioneve anarkiste pro dhe kundër lejimit të hapjes së portave.
Policia nuk ndërhyri, por burime pranë saj thanë se ka një plan për ruajtjen e rendit gjatë ceremonive përkujtimore që do të zhvillohen.
Sipas policisë, më shumë se 3.000 policë do të kenë përgjegjësinë për ruajtjen e rendit gjatë manifestimit të përvitshëm.
Mijëra grekë, pasi bëjnë homazhe në nder të viktimave, protestojnë jashtë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, kundër rolit që ajo pati në mbështetje të juntës së kolonelëve grekë në vitet 1970-1975.
Top Channel