Kompania ruse e sigurisë kibernetike Kaspersky Lab ka vendosur të flasë kundër raporteve se ka nxjerrë qëllimisht të dhëna delikate nga kompjuteri i një punonjësi të agjencisë amerikane të sigurisë kombëtare.
Ishte Wall Street Journal ai që lëshoi fillimisht akuzat në muajin tetor kur përcolli njoftimin se hakerat rusë, kishin përdorur një software të Kaspersky-t për identifikimin e dosjeve sekrete ne kompjuterin e shtëpisë së kontraktorit të NSA-së.
Më vonë u tha se Kaspersky i kishte kopjuar edhe ai vetë të dhënat nga PC-ja e hakuar. Kontraktori i NSA-së e pati instaluar programin në kompjuterin e tij personal. Kompania ruse tani këmbëngul se tërheqja e informacionit nuk ka qenë e qëllimshme dhe se çdo dokument i klasifikuar, është fshirë menjëherë.
Kërkuesit e saj, sipas Kaspersky-t, kanë hetuar mbi një software të dëmshëm, krijim i i “Grupit të Ekuacionit”, një prej ekipeve me te sofistikuara të sulmeve kibernetike në botë.
Pikërisht një variant virusi i përdorur prej këtij grupi u arrit të diktohej në 11 shtator, tek njëri prej produkteve të saj, i vendosur në një kompjuter shtëpie në Baltimore të Marylandit, shume pranë selisë së NSA-së.
Kaspersky flet edhe për një lloj tjetër virusi të lidhur me të njëjtin kompjuter, i cili është krijuar nga një haker rus në 2012-tën e është shitur nëpër forume të fshehta, ndërsa se fundi serverat e regjistruar të tij duket se i përkasin një entiteti kinez. Aktualisht, të gjitha agjencive federale amerikane i është kërkuar ta heqin Kaspersky-n nga kompjuterët e tyre.
Top Channel