Shorti i Botërorit të Rusisë, “peng” i sfidës Peru-Zelandë e Re

15/11/2017 17:37

Me kualifikimin e Australisë, numri i skuadrave pjesëmarrëse në fazën finale të Botërorit 2018 shkon në 31. E panjohura e vetme që ka mbetur në këtë drejtim është sfida mes Perusë dhe Zelandë së Re.

Tashmë vazot e shortit të këtij kompeticioni, që do të hidhet më 1 dhjetor janë pothuajse të përcaktuara, me Australinë që është në vazon e katërt, së bashku me Nigerinë, Japoninë, Marokun, Panamanë, Korenë e Jugut dhe Arabinë Saudite.

Përsa i përket sfidës së Perusë dhe Zelandës së Re, do të ketë lëvizje në vazot 2, 3 dhe 4, në varësi të rezultatit. Nëse do të kualifikohet Peruja, atëherë ajo do të jetë në vazon e dytë, si e skuadra e 10 në renditjen e FIFA-s.

Në rast të kundërt, nëse kualifikohet Zelanda e Re, atëherë kjo e fundit do të jetë në vazon e katërt, ndërsa vendin bosh të vazos së dytë do ta marrë Danimarka, kurse Serbia do të ngjitet nga vazo e katërt në të tretën.

Përsa i përket shortit, dy skuadra nga e njëjta konfederatë nuk do të jenë në të njëjtin grup. Përjashtim në këtë pikë bën UEFA, që ka më shumë përfaqësuese në këtë Botëror, kështu që nuk përjashtohet mundësia që të shohim në të njëjtin grup Spanjën e Gjermaninë, apo Francën dhe Spanjën.

Top Channel