Carlo Tavecchio shkarkoi trajnerin Gian Piero Ventura, por vet nuk dha dorëheqjen nga drejtimi i Federatës italiane të Futbollit, FIGC. Njoftimi vjen në përfundim të takimit në selinë e Federatës në Romë, që zgjati për mbi dy orë.

Ajo që prisnin shumica e italianëve, një “tërmet” nuk ka ndodhur. Tashmë është e qartë se, për paraqitjen skandaloze të Italisë dhe mungesës së bujshme të saj pas 60 vitesh në një Botëror, “paguan” vetëm trajneri i axurrëve, i cili mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme aventurën në stolin e pankinës italiane.

Njoftimi zyrtar nga Federata u shpërnda rreth orës 18:20.

Sa i përket zërave mediatik se Ancelotti është kandidati kryesor për të pasuar Venturën në pankinën e Italisë, presidenti Tavecchio shprehet se nuk është folur në mënyrë absolute mbi këtë temë.

Në takim morën pjesë disa drejtues të lartë, duke nisur nga presidenti i shoqatës së arbitrave, asaj të futbollistëve dhe asaj të trajnerëve.

Renzo Ulivieri, kreu i shoqatës së trajnerëve, shprehu keqardhjen për shkarkimin e Venturës. Ndërsa ai i shoqatës së futbollistëve, Damiano Tommasi u largua më herët nga të gjithë nga takimi, pasi nuk e kapërdiu mosdhënien e dorëheqjes nga ana e Tavecchios.

Megjithatë, për futbollin italian do të ketë edhe një zhvillim të rëndësishëm. Në fund të nëntorit, Tavecchio do të mbledhë Këshillin Federal (qeverinë e brendshme të futbollit), për të propozuar kandidaturën e trajneri të ri të Italisë. Carlo Ancelotti është kandidati numër 1 dhe ndoshta edhe i vetmi për të marrë drejtimin e Italisë dhe, në rast se do t’i kërkohet ulja në pankinën e axurrëve, me siguri që nuk do ta refuzonte.

Top Channel