FIFA nuk njeh rekordin e Lukakut, shkak dita e “debutimit” të Januzajt

15/11/2017 19:49
Nacer Chadli, autor i golit të katërt në miqësoren e panjohur nga FIFA me Luksemburgun.

Romelu Lukaku do të duhet të presë ende për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares belge të futbollit, pavarësisht se Belgjika pretendon qysh tani se ai është rekordmbajtësi.

Lukaku shënoi dy herë në barazimin 3-3 të Belgjikës me Meksikën, të premten e kaluar, përpara se të shënonte edhe golin e vetëm të takimit ndaj Japonisë, mbrëmjen e së martës.

Federata belge njoftoi përmes “Twitter”-it se sulmuesi i Manchester United është ngjitur tashmë në kuotën e 31 golave për kombëtaren e tij, duke e renditur atë në krye të golashënuesve, përpara Bernard Voorhoof dhe Paul van Himst, të cilët e mbyllën karrierën e tyre me 30 gola të shënuar.

Gjithsesi, Lukaku sipas FIFA-s ka shënuar vetëm 28 gola me Belgjikën, pasi organizmi më i lartë i futbollit botëror anuloi miqësoren e luajtur mes Belgjikës dhe Luksemburgut, ndeshje në të cilën sulmuesi kishte shënuar tri herë.

Belgjika fitoi 5-1 ndeshjen e fazës përgatitore përpara Botërorit të vitit 2014, të luajtur në Genk më 26 maj të po atij viti, por FIFA e zeroi këtë ndeshje nga arkiva e saj pasi belgët kryen 7 zëvendësime në fushën e lojës, nga 6 që lejohen për ndeshjet miqësore. Gjithsesi, Lukaku e ka ende mundësinë të arrijë rekordin prej 30 golash, duke parë moshën e tij të re vetëm 24 vjeç.

Ky vendim solli edhe një tjetër pasojë: anulimin e debutimit zyrtar të Adnan Januzajt me Belgjikën.

Pas një beteje të gjatë mes shumë shtetesh, përfshi Anglinë, Belgjikën, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Turqinë, për të siguruar shërbimet e mesfushorit të atëhershëm të Manchester United, Adnan Januzaj, ky i fundit zgjodhi të përfaqësonte kombëtaren e vendlindjes së tij, Belgjikën.

Me këtë kombëtare, shqiptari i lindur në Belgjikë nga prindër kosovarë do të luante për herë të parë në ndeshjen miqësore mes belgëve dhe Luksemburgut, të luajtur më 26 maj të vitit 2014 në Genk.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më vonë, më 7 qershor në Bruksel, ai do të hynte si zëvendësues në minutën e 74-t, në miqësoren tjetër ndaj Tunizisë. Kjo ishte edhe ndeshja e fundit përgatitore përpara Botërorit të futbollit “Brazil 2014”, gjatë të cilit Januzaj do të luante vetëm 30 minutat e fundit në ndeshjen mes Koresë së Jugut dhe Belgjikës. Pikërisht kjo konsiderohet edhe si ndeshja debutuese e Januzajt me kombëtaren belge, sa i përket kompeticioneve të organizuara nga FIFA.

Por, më 4 korrik të atij viti, FIFA do të njoftonte përmes një letre zyrtare Federatën belge të Futbollit, se ndeshja ndaj Luksemburgut nuk do të njihej si “miqësore zyrtare”, për shkak se ish-trajneri i atëhershëm i Belgjikës, Marc Wilmots kishte kryer 7 zëvendësime në fushë, nga 6 që i lejoheshin.

Për UEFA-n, ndërkohë, ka një tjetër datë debutimi për Januzajn, pikërisht në ndeshjen kualifikuese për Europianin e 2016-s, të luajtur më 16 nëntor 2014, mes Belgjikës dhe Uellsit. Januzaj ka qenë i grumbulluar me kombëtaren e Belgjikës edhe në dy miqësoret e fundit, ndaj Meksikës dhe Japonisë, por pa luajtur asnjë minutë.

Top Channel