ATP Tour, Federer siguron gjysmëfinalet

15/11/2017 15:20

Roger Federer pret biletën për në gjysmëfinale të ATP Tour Finals që po zhvillohet në Londër. Tenisti zviceran fitoi edhe ndaj Alexander Zverev me rezultatin 2-1 në atë që u cilësua se beteja e talenteve mes brezash.

Fati i setit të parë u vendos me anë të tie-break, të cilin Federer e fitoi 7-6. Tenisti 20-vjeçar gjerman iu përgjigj numrit 2 të botës në setin e dytë që e mbylli 7-5 në favorin e tij. Në setin final, Federer u shfaq dominues ndaj Zverev pavarësisht diferencës prej 16 vitesh në moshë me të. Ky fraksion nuk pati shumë histori pasi Federer e fitoi atë 6-1.

kjo do të thotë se gjysmë-finalisti i dytë i këtij turneu nga Grupi ‘Boris Becker’ do të dalë nga sfida mes Jack Sock dhe pikërisht Zverev.

Amerikani Sock i rriti shpresat për një kualifikim të mundshëm pasi mposht Marin Cilic me rezultatin 2-1. Ishte kroati ai që e nisi më mirë këtë ndeshje teksa fitoi setin e parë 7-5, por Sock arriti të kthejë fatin e kësaj sfide në favor të tij duke fituar 2 setet e tjerë 6-2 dhe 7-6.

Top Channel