Fitorja e Shqipërisë ndaj Turqisë, në Antalia, ka lënë një shije të mirë jo vetëm te Panucci, por edhe te specialistë futbolli në përgjithësi. Megjithatë, Neptun Bajko, një ish-trajner i Kombëtares, i ka parë deri diku si të rrezikshme dhe të parakohshme ndryshimet e ndeshjes së fundit.
Neptun Bajko: Më lejoni fillimisht të jap një mendim për këto ndeshje të ashtuquajtura miqësore. Në realitet miqësore janë, por sot në futbollin modern nuk ekzistojnë më ndeshje miqësore në kuptimin antik. Ndeshjet miqësore sot janë shumë serioze, sepse kanë qëllimet dhe funksionet e tyre qoftë në aspektin profesional të stafit teknik dhe trajnerit, ashtu dhe në aspektin më të gjerë për të vënë një imazh dhe për të krijuar diçka pozitive për futbollin. Pra qëllimet janë të gërshetuara, prandaj marrin edhe një rëndësi shumë të madhe.
Duke u përqëndruar te ndeshja e djeshme…
Bajko: Edhe ndeshja e djeshme ishte vlerësuar maksimalisht sidomos nga ne. Ekipi pasqyroi vlera të mira, jo thjesht në aspektin e lojës dhe të mbajtjes së topit, që është dalluar në edicionet e kaluara, por në aspektin për të arritur drejt një qëllimi të përcaktuar. Pra, drejt gërshetimit më të mirë të veprimeve mbrojtëse dhe sulmuese. Kjo nuk u pa gjerësisht në 90 minuta, por mendoj se ekipi e kishte idenë, guxonte që të ngushtonte veprimet në një hapësirë 30 metërshe, gjë që u jepte mundësi të dilnin me shpejtësi edhe në veprime sulmuese. Megjithatë, sipas meje, të dy golat e parë që u shënuan ishin veprime kundërsulmi. Ishin veprime shumë të mira të Roshit dhe të ekzekutuesit Armando Sadiku. Në ndryshim nga ndeshjet e tjera, kjo veçori ra në sy, që tregon se Panucci guxon, por a e bën këtë për të bindur veten e tij dhe ekipin, apo guxon sepse e ka të fiksuar në mendjen e tij se do të luajë në këtë formë. Mua më duket e rrezikshme, të them të drejtën, por nëse nuk rrezikon, as nuk përfiton.
TCH: Krahasuar me paraardhësin e tij, De Biasi, duke pasur parasysh edhe arritjet e tij, a është kjo një zgjidhje më e mirë? Mos vallë ishim mësuar më mirë ashtu, ndiheshim më të sigurtë?
Neptun Bajko: Unë mendoj se ende nuk është bërë një zgjedhje, sepse Panucci do të bindë vetveten për këtë mënyrë veprimi, më pas ekipin, e në fund edhe sportdashësit më gjerë. Në aspektin profesional, unë mendoj se është një hap shumë i guximshëm, madje i rrezikshëm. Por zgjedhja është e trajnerit, i cili beson te mentaliteti dhe filozofia e tij, që gjithsesi më duket e parakohshme. Po të shohësh edhe përbërjen e formacionit, nuk kishte ndonjë ndryshim nga përbërja e mëparshme. Ishin po ata lojtarë, të vendosur në po ato pozicione, ndaj nuk kishte ndryshim. Nëqoftëse mbi bazën e kësaj ndeshjeje, Panucci ka ndërmend që të bëjë lëvizje dhe ndryshime të tjera, atëherë do të shihet nëse kemi të bëjmë me një ekip që dëshiron të luajë më tepër në sulm, bazuar mbi një mbrojtje shumë të mirë, apo do të luajmë me ato mundësi që kemi ne dhe do të zgjedhim një taktikë më të rafinuar për të përmbushur qëllimin e misionin.
TCH: De Biasi qëndroi gati 5 vite e gjysmë, ndërkohë që Panucci kishte vetëm ndeshjen e tij të katërt. Me cilën bindje jeni më shumë tifoz, atë të trajnerit të kaluar apo të italianit të ri?
Neptun Bajko: Unë jam me bindjen time dhe në bazë të saj bëj edhe vlerësimin e bindjeve të të dy trajnerëve që kanë qenë në drejtimin e ekipit kombëtar. Unë mendoj se në çdo rast duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse ekipi kombëtar ende nuk ka shkelur në shkallët e larta, që të tentojë të arrijmë një rezultat pozitiv apo një kualifikim, që është i panjohur për ne. Këtu mund të gabojnë edhe trajnerët, edhe stafi në këtë aspekt. Së dyti, do të bëjmë një lojë që të shkojmë te rezultati, të bindemi për forcën tonë, apo do të bëjmë edhe lojë që të pëlqehet edhe nga sportdashësit. Kjo është një dilemë e madhe. Në këtë aspekt është më i avancuar Panucci, pra ka dëshirë dhe mendon që duhet luajtur me veprime sulmuese. Loja nuk e vërtetoi këtë, përveç ngushtimit të hapësirave në 30 metra, që është një veprim shumë i drejtë, të trija rastet e shënimit të golave ishin si pasojë e kundërsulmeve.
TCH: Që do të thotë se…?
Neptun Bajko: Kjo do të thotë se përsëri ne duhet të kemi kujdes në aspektin mbrojtës të të gjithë ekipit, jo vetëm për repartin e mbrojtjes. E kam në detyrat që marrin repartet dhe lojtarë të veçantë. Kështu dua të dalloj 3 lojtarë që në ndeshjen e djeshme vendosën fatin e takimit. Ishin Berisha, Roshi dhe Sadiku. I fshehur por shumë punëtor dhe i domosdoshëm në mesfushë ishte Lilaj. Loja e tij nuk bie në sy, por ai është i kudondodhur, shumë i mençur dhe ka një mendim të drejtë për lojën me veprimet sulmuese.
TCH: Me këtë ju doni të theksoni se dje nuk pamë një lojë sulmuese, por iu falëm kundërsulmeve?
Neptun Bajko: Loja dje nuk ishte sulmuese, sepse ne asnjëherë nuk qëndruam në gjysmëfushën e kundërshtarit dhe nga atje të bënim veprime për të arritur te goli dhe goditja e portës kundërshtare. Por gjithçka u nis nga mbrojtja, me veprimet individuale të Roshit, që realizoi kundërsulmin dhe dha një pasim shumë të saktë. Kurse mendimi sulmues ishte spostimi i ekipit, dalja nga zona e 16-metërshit dhe vendosja në 30-40 metra duke ngushtuar lojën. Për mendimin tim ky ishte një veprim i rrezikshëm dhe i parakohshëm, por duke qenë një miqësore që duhet provuar, u provua.
Top Channel