May, mesazh Putinit: Rusia, partnere nëse luan sipas rregullave

14/11/2017 09:24

Theresa May ndërmori sulmin e saj më të ashpër deri tani kundër Rusisë, duke e akuzuar hapur për përfshirje në zgjedhje dhe spiunazh kibernetik.

Qeveria e Vladimir Putin, tha kryeministrja britanike përpara liderëve të biznesit gjatë një banketi në Londër, po minon shoqëritë e lira me hedhjen e farës së “historive të tyre të rreme”.

Qëllimi i veprimeve të tilla, për May, nuk është gjë tjetër përveçse të shkaktojë përçarje në Perëndim. Edhe pse Mbretëria e Bashkuar, shtoi ajo, nuk e dëshiron një përplasje të vazhdueshme me Moskën, në fund do të bëjë ç’është e mundur për të mbrojtur interesat e veta.

“Ky është një mesazh shumë i thjeshtë për presidentin Putin; ai duhet të zgjedhë një rrugë shumë të ndryshme nga ajo e viteve të fundit, që çoi në aneksimin e Krimesë, ushqeu konfliktin në Ukrainë dhe solli sulme kibernetike ndaj qeverive dhe parlamenteve në mbarë Europën. Rusia mund të jetë partnere e vyer e Perëndimit, por vetëm nëse luan sipas rregullave”, deklaroi May.

May kujtoi më tej sesi rusët e kanë shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore të disa shteteve europiane e kur erdhi fjala tek sulmet kibernetike, ato i ilustroi me hakerimin e Ministrisë daneze të Mbrojtjes dhe Bundestagut gjerman.

Komentet e shefes së ekzekutivit britanik ishin në kontrast të thellë me deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se e beson Putinin në këmbënguljen e tij se nuk ka pasur një ndërhyrje ruse në presidencialet amerikane të 2016-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA