Daniele De Rossi e vuajti nga stoli dështimin e Italisë për t’u kualifikuar në botëror, teksa në vend të tij u preferua mesfushori i Napolit, Jorginho. Mediat italiane kanë veçuar edhe një debat të mesfushorit, me stafin e trajnerëve, kur këta të fundit i kërkuan të futej në fushë.
“Po ku të shkoj unë, nuk e kuptoni se na duhet të shënojmë gol dhe jo të mbajmë barazimin?”, iu hakërrye De Rossi njërit prej pjesëtarëve të stafit të Venturës.
Pas ndeshjes, kapiteni i Romës shpjegoi episodin për mediat, ndërsa tha se nuk kishte për qëllim të fyente njeri.
“Kam 20 vite eksperiencë në Koverçiano dhe e kuptoj mirë se çfarë duhej në ato momente. Doja të jepja një indikacion taktik dhe nuk doja të fyeja askënd. Më kërkuan të futesha unë, por na duhej goli dhe rekomandova menjëherë Insignen, sepse ai ishte më i vlefshëm sesa unë në ato momente. Unë doja të luaja, por më tepër doja të shënonim”, tha De Rossi.
Top Channel