Ballanca kundër Totozanit, kërkon ndryshimin e listës së kandidatëve për komisionerë

14/11/2017 15:16

Kandidaturat e përcjella në maj të këtij viti nga Igli Totozani, ish-Avokati i Popullit kanë rikthyer debatin mes opozitës dhe mazhorancës.

Përmes dy shkresave të njëpasnjëshme drejtuar deputeteve, në tetor dhe nëntor të këtij viti, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca kërkon rihapjen e procesit të përzgjedhjes së kandidaturave për komisionerë të këtij institucioni, me argumentin se lista është firmosur nga Igli Totozani më 22 maj, ditë në të cilën Ballanca është zgjedhur nga kuvendi në këtë post.

“Ne vlerësojmë se kjo listë dhe kjo përzgjedhje e kandidatëve është bërë në kundërshtim flagrant me ligjin. AP ka kërkuar që të anulohet i gjithë procesi, të rihapet gara në respekt të ligjit pasi rezulton se ligji është shkelur me të dyja këmbët. Ne nuk do të marrim pjesë në seancën e dëgjesës së këtyre kandidatëve”, tha Eduard Halimi, deputeti i PD-së.

“Argumentet janë dy, së pari thotë zonja Ballanca avokati i popullit, paraardhësi i saj në datë 22.5.2017 më ka marrë kompetencat sepse atë ditë është zgjedhur avokati i ri në kuvend dhe e dyta, kam hetuar të gjithë mënyrë administrative të përzgjedhjes së anëtarëve dhe procedurës së hartimit të listës nga paraardhësi im dhe kam konstatuar se nuk është respektuar procedura ligjore”, u shpreh Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve.

Megjithatë mazhoranca vijoi seancën dëgjimore dhe për këtë qëndrim, Manja dha 2 argumente:

“Është e vërtetë që avokati i ri i popullit është zgjedhur dhe votuar në kuvend në datë 22.5.2017 por betimin e ka bërë dhe detyrën e ka marrë zyrtarisht më 17 qershor 2017. sipas ligjit avokati në detyrë vazhdon punën deri në bërjen e betimit nga avokati i ri. dhe e dyta, ne kemi të drejtë të bëjmë seancën dëgjimore dhe vetëm në qoftë se nuk mbështet asnjërën nga kandidaturat, mund ta rikthejë procedurën nga e para në avokatin e popullit”, tha Manja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA