Në prag të Panairit të 20 të Librit, botuesit shqiptarë thonë se problemet me librin do t’i shoqërojnë edhe këtë vit.

Si kurrë më parë, ata janë detyruar të botojnë deri në 200 kopje, një tirazh i kushtëzuar nga kriza që ka prekur prej kohësh librin, të cilin e rëndon më shumë edhe TVSH-ja.

Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, shprehet: “Ne ulemi tek çmimi duke marrë parasysh mundësinë e lexuesit. Politika e vendosjes së çmimit të librit në vendet europiane është 4-6 herë më shumë se kosto. Ne nuk shkojmë as tek dy herë sepse po ta ngremë më shumë, nuk shitet libri fare. Kemi filluar të botojmë libra me 200 kopje, s’kemi pasur tirazh më të vogël se 500 asnjëherë. Është një situatë që nuk na vjen mirë, nuk na pelqen”.

Mbështetja e vetme që botuesit kanë marrë këtë vit nga shteti është vlera prej 1 milion lekësh nga Ministria e Kulturës: “Pavarësisht nga situata jo fort e begatë, jo fort e shëndetshme që ka shoqëruar këtë periudhë sektorin libror, ku kemi rënie të numrit të titujve, por edhe të tirazheve, botuesit janë të mobilizuar për t’i shërbyer dhe për t’i kënaqur kërkesat e lexuesve, shijen e lexuesve, t’i japin lexueve libra me cilësi, përkthime me cilësi e të bëjë politika për të tërhequr lexuesin sa më shumë”.

Panairi i Librit do të mbahet më 15-19 nëntor, në Pallatin e Kongreseve, ndërsa do të marrin pjesë 95 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, që, veç titujve të rinj, do të ofrojnë edhe çmime preferenciale.

Top Channel