Në listën e Kombëtares për stazhin përgatitor dhe miqësoren ndaj Turqisë ishin të paktën 3 lojtarë të dëmtuar, por edhe pse në dyshim, trajneri Christian Panucci kërkoi të shihte nga afër gjendjen e tyre, para se të vendoste.

Konferenca për shtyp në vigjiljen e miqësores në Antalia detyroi teknikun të ngrinte disi tonet, pikërisht për problemin e dëmtimeve.

Këtu duhet të qartësojmë disa gjëra. Nuk është profesionalizëm të telefonosh dhe të thuash mora një goditje, siç nuk është kur merr në telefon doktori i Barit, apo dërgohet një ‘e-mail’. Ka disa rregulla serioze në Kombëtare, pasi duhet të prezantohsh me një rezonancë apo një analizë dhe vlerësimin e bëjmë ne, siç ndodhi në rastin e Bashës. Edhe Latifi erdhi në grumbullim dhe pretendoi që është në gjendje të mirë. Basha e provoi, por nuk ia doli dot, ndërsa Abrashi as nuk erdhi fare. Ka rregulla që duhen respektuar”, deklaroi trajneri italian i Shqipërisë, Christian Panucci.

Pasi arkivoi çështjen e dëmtimeve, duke pretenduar profesionalizëm, Panucci u fokusua te përgatitjet.

“Duhet të shohim sa më tepër lojtarë të jetë e mundur, për të formuar një grup që do të provojë të shkojë në Europianin 2020. Ndaj Turqisë, të hënën do të zbresin në fushë ata që mendoj se mund të na japin fitoren, pasi në Kombëtare nuk ka asnjëherë ndeshje miqësore”, tha më tej Panucci.

Shqipëria luan të hënën e 13 nëntorit ndaj Turqisë, në orën 18:30, në stadiumin e Antalias.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA