Kosova, miqësore ndaj Letonisë në “Adem Jashari”

12/11/2017 19:24

Me fushatën kualifikuese të Botërorit që u arkivua me rezultate katastrofike, përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të kërkojë të fitojë pikë të vyera në renditjen e FIFA-s.

Përballë këtë radhë është Letonia, në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, një 90-minutësh të cilin lojtarët kërkojnë ta mbyllin me sukses.

Mbrojtësi i Dinamos së Zagrebit, Amir Rrahmani kërkoi nga skuadra të shfrytëzojnë pikat e dobëta të balltikëve.

“Besoj që kemi dhënë maksimumin në çdo stërvitje dhe jemi përgatitur që të shfaqemi sa më mirë kundër Letonisë. Mendoj se jemi të gatshëm, sepse e dimë si luajnë ata. Duhet t’i shfrytëzojmë sa më mirë pikat e dobëta të tyre. Të them të drejtëm na ka munguar të luajmë në vendin tonë, edhe pse natyrshëm që edhe Shqipëria është vendi ynë. Por këtu janë njerëzit që e duan më shumë përfaqësuesen e Kosovës. Besoj se do t’i shpërblejmë nesër me fitore”, thotë Amir Rrahmani, futbollist i Kosovës.

Në të njëjtën linjë është edhe ish-mesfushori i Skënderbeut, Bernard Berisha.

“E kemi vlerësuar shumë këtë ndeshje, për shkak se për herë të parë luajmë si vendas në vendin tonë. Ka qenë një ëndërr dhe sot është bërë realitet. Do mundohemi të japim më të mirën dhe shpresoj shumë që do të arrijmë fitoren e parë. Duke parë angazhimin e të gjithë lojtarëve dhe trajnerit, them se jemi shumë të motivuar për këtë ndeshje. Do të bëjmë gjithçka që të arrijmë fitoren”, shprehet Bernard Berisha, futbollist i Kosovës.

Ndeshja mes Kosovës dhe Letonisë luhet mbrëmjen e së hënës, në orën 19:30, në Mitrovicë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA