WADA për dopingun rus: Ka prova për përfshirjen e shtetit

11/11/2017 14:05

Agjencia Botërore Antidoping konfirmon se ekzistojnë prova që tregojnë përfshirjen e shtetit rus në skemën e dopingut në sportin e këtij vendi.

WADA theksoi se Departamenti i Inteligjencës dhe Hetimeve ka dërguar dosje me të dhënat nga testet e laboratorit të Moskës për periudhën janar 2012-gusht 2015 duke hedhur poshtë pretentimet e autoriteteve ruse që kanë mohuar gjithnjë përfshirjen e tyre në këtë skandal.

Agjencia Botërore Antidoping tha gjithashtu se po përfundojnë të gjitha analizat dhe priten të merren më shumë informacione të cilat do të dorëzohen në Komitetin Ekzekutiv të saj në mbledhjen që do të zhvillojë në Seul në 15-16 nëntor.

Informacionet e reja që priten të zbulohen me shumë gjasa do të ulin akoma më shumë shanset e Rusisë për të dërguar sportistë në Korenë e Jugut për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pyeongchangut që do të zhvillohen në shkurt të vitit të ardhshëm. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të diskutojë këtë çështje në mbledhjen që do të mbajë ne 5-7 dhjetor kur do të marrë edhe vendimin përfundimtar për sportin Rus.

Top Channel