Moto GP Valencia/ Marquez, Pole Position për titullin

11/11/2017 16:47

Marc Marquez ka marrë një avantazh të madh për garën e së dielës në Valencia, ku do të kërkojë të fitojë titullin e tij të katërt në Botërorin e Moto GP.

Piloti spanjoll i Hondës është fituesi i provave zyrtare në pistën e Ricardo Tormos, që do të thotë se ai do të niset i pari.

Marquez, edhe pse gjatë këtyre provave u rrëzua, arriti të fitoje Pole Position-in e fundit të këtij viti, me kohën 1 minutë 29 sekonda e 897 të mijtat dhe ishte i vetmi pilot që zbriti nën rendin e 1 minutë e 30 sekondave.

Në vendin e dytë u rendit francezi Zarko me 1 minutë 30 sekonda e 246 të mijtat, ndërkohë që Andrea Iannone plotëson linjën e parë të startit të garës të së dielës.

Mjaft mirë u paraqit edhe piloti i Ducatit, Jorge Lorenzo që shënoi kohën e katërt më të mirë, ndërkohë që Dovizioso, që është në garë me Marquez për titullin, nuk shkoi më shumë se vendi i nëntë.

Nuk shkuan mirë gjërat për Yamahën, e cila pati si rezultatin më të mirë vendin e shtatë të Valentino Rossit, ndërkohë që Maverick Vinales u eliminua që në sesionin e dytë të provave zyrtare.

Top Channel