Uzina e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit ka përfunduar demontimin e municioneve të fundit jashtë nevojave të Forcave të Armatosura dhe së shpejti pritet të rivihet në punë linja e saj e prodhimit.
Lajmin e dha vetë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila ishte në Mjekës ku demontoi personalisht në mënyrë simbolike fishekët e fundit.
“Sapo demontuam fishekët e fundit të municioneve jashtë nevojave të Forcave të Armatosura,. Jemi në hapat e fundit të konkretizimit të një investimi të konsiderueshëm, me një kompani e cila është lider në Europë për prodhimin e armëve dhe të municioneve dhe që do të vijë në Mjekës me një investim të konsiderueshëm dhe me mundësinë e jashtëzakonshme për të vazhduar punësimin e dhjetëra familjeve të zonës, por jo vetëm”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm janë në diskutime konkrete me shumë kompani, të cilat janë pjesë e vendeve të NATO-s për rivitalizimin e uzinës së Mjekësit dhe të ndërmarrjeve të tjera të prodhimit dhe të demontimit të municioneve.
Rivënia në punë e linjës së prodhimit të kësaj uzine, jo vetëm do të hapë një faqe të re për industrinë ushtarake shqiptare, por do të ndikojë edhe në ekonominë e zonës përreth, pasi pritet të krijojë vende të reja pune.
Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës ka qenë ndërmarrja që ka mbajtur peshën kryesore në procesin e demontimit industrial të municioneve të tepërta. Gjatë viteve 2009 – 2017 ka demontuar në total 26 mijë tonë municione.
Xhaçka ishte edhe në Uzinën Mekanike në Gramsh, ku aktualisht vijon procesi i demontimit industrial të municioneve të tepërta.
Top Channel