Përfundoi gjatë orëve të vona të mbrëmjes dita e parë e bisedimeve mes Greqisë dhe Shqipërisë lidhur me çështjet dypalëshe.
Për më shumë se 12 orë kanë zgjatur diskutimet në ditën e parë të negociatave intensive mes ministrave Kotzias dhe Bushati, në Kretë. Me mbi 300 faqe material nga arkivi i MPJ dhe Arkivit të Shtetit, dokumente historike, harta të të gjitha natyrave dhe një ekspertizë shteruese në tavolinë, pala shqiptare tregoi se e ka marrë me shumë seriozitet takimin.
Kjo është hera e arë parë që palët po diskutojnë çdo pikë në detaje, për ato që quhen çështje të reja dhe historike mes dy vendeve. Klima pozitive mes palëve, por edhe dëshira për mbylljen përfundimtare të një sërë problemesh që prekin marrëdhëniet dypaleshe, duket se është edhe çelësi i zgjidhjes për disa prej temave, për të cilat dy ministrat nuk kanë dashur të publikojnë detajet.
Burime të larta diplomatike greke i thanë Top Channel se në tryezën e bisedimeve janë hedhur të gjitha temat dhe ditët në vazhdim priten rezultatet konktrete. Gjatë mbrëmjes diskutimet u spostuan në një restorant, ku dy delegacionet kanë patur një darkë pune.
Gjatë paradites së të shtunës pritet të diskutohen edhe temat e tjera të mbetura, siç është ligji i luftës dhe zonat e minoritetit.
Top Channel