Teksas, ekzekutimi i të dënuarit fut në sherr SHBA-Meksikë

09/11/2017 19:27

Shteti i Teksasit ka ekzekutuar një shtetas meksikan, duke shkaktuar reagime të ashpra sa i takon të drejtave të njeriut, por edhe një përplasje me shtetin mëmë të të ndjerit.

Ruben Cardenas Ramirez u ekzekutua me një injeksion fatal. Ai ishte dënuar për rrëmbimin, përdhunimin dhe vrasjen e kushërirës së tij 16-vjeçare në vitin 1997.

Presidenti meksikan Enrique Pena Nieto dënoi ekzekutimin, duke deklaruar se në këtë mënyrë është shkelur rregulli i OKB-së për trajtimin e shtetasve meksikanë në Amerikë.

Por motra e të ekzekutuarit ka reaguar ndryshe, duke deklaruar se, ekzekutimi i tij ka sjellë “paqen e vërtetë” në familje. Meksika e hoqi dënimin me vdekje në vitin 2005.

“E dënoj me ashpërsi ekzekutimin e Ruben Cardenas Ramirez në Teksas, që shkel direktivën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha presidenti Nieto në profilin e tij në rrjetin social Twitter.

Në vitin 2004, GJND konstatoi në një proces gjyqësor se Shtetet e Bashkuara kishin shkelur detyrimet e parashikuara nga ligji ndërkombëtar për moskallëzimin e arrestimit të 51 shtetasve meksikanë autoriteteve të vendit latin, përfshirë këtu Cardenas, dhe u kishte mohuar atyre të drejtë për asistencë ligjore nga qeveria e tyre.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës kanë mbetur të tensionuara që prej planit të shpallur nga presidenti Donald Trump për të ndërtuar një mur ndarës në kufirin mes dy vendeve për të kontrolluar emigracionin, duke insistuar që për të duhet të paguajë Meksika.

Konsulli meksikan në Teksas, Carlos Gonzales Gutierres deklaroi: “Për qeverinë meksikane kjo nuk është një çështje që ka të bëjë me fajësinë apo pafajësinë, por me respektimin e të drejtave të njeriut dhe një proces të drejtë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA