Reshat Arbana rikthehet pas nëntë vitesh në një skenë teatri dhe pas shumë vitesh në një intervistë televizive. Në një rrëfim për “Pasdite në Top Channel”, aktori, “Nderi i Kombit”, tregoi pse pranoi rolin në komedinë e trishtë “Babai” me regji të Spiro Dunit, në teatrin “Skampa” të Elbasanit.

“I kisha bërë një betim vetes që s’do të pranoja më asnjë rol, por u josha dhe u intrigova shumë nga roli i babait me demensia. Më ka lodhur shumë ky personazh, por besoj se publiku do t’a presë shumë mirë”. Duke u ndalur tek eksperienca personale, Arbana tha se ai ka qenë dhe vijon të mbetet një baba patriarkal.

Aktori që ka mbi 45 role mbi supe, u ndal dhe tek debati i para pak muajve mbi ndalimin e disa prej filmave të komunizmit. “Mbase nga ana artistike nuk kanë qenë shumë cilësorë, por kanë pasur pastërti morale. Tani shohim VIP-a të zhveshur…”. Për Reshat Arbanën, kinematografia e pas ’90-ës ka prodhuar shumë pak filma.

Aktori i madh shqiptar foli edhe rolet e jetës dhe tij dhe marrëdhëniet me kolegët e atyre viteve, për të cilët thotë se plejada e tyre s’do të kthehet më kurrë. Mes tyre, veçon Sandër Prosin. “Edhe kur më bënte vërejtje për ndonjë rol, ma bënte me shumë finesë”.

I pyetur për mjeshtërinë e recitimit, ai tha se e gjitha ka nisur si revoltë ndaj fenomeneve sociale. Poezitë “Hakërrimi”, “Koha është e maskarenjve” dhe “Në mundsh” janë ndër poezitë më të arrira, interpretuar nga Reshat Arbana.

Top Channel