Këtë fundjavë, Sao Paulo do të presë njerëzit më të “çmendur” pas garave të shpejtësisë, pilotët e Formulës 1, që do të nisin të premten me provat e lira, për të vijuar të shtunën me provat zyrtare për “pole position” dhe të dielën nga ora 17:00 me Çmimin e Madh të Brazilit, në autodromin “José Carlos Pace”.
Megjithatë, një ditë përpara impenjimeve zyrtare për garën e parafundit të Formulës 1, duket se për pilotët ka kohë edhe për publicitete, momente argëtimi dhe gjithçka tjetër.
“Red Bull”, kompania e pijeve energjike që ka si slogan të sajin “Ju bën me krahë”, duket se ka shfrytëzuar më së miri këtë moment për të testuar me një provë “tejet të vështirë” pilotët e skuderisë austriake me të njëjtin emër, Max Verstappen dhe Daniel Ricciardo.
Ata shihen në një video të shoqëruar nga një grup kërcimtarësh brazilianë, që dinë të interpretojnë më së miri atë që quhet “Capoeira”, një art marcial afro-brazilian që kombinon elementë të kërcimit, akrobacisë dhe muzikës. Edhe pse pilotët nxiten nga kreu i grupit që ta imitojnë atë me një kërcim në vend së prapthi 360 gradë, Daniel dhe Max, të frikësuar nga ajo që shohin, ose nga pamundësia për ta imituar atë, i mbërthen e qeshura.
Top Channel