Zvicra, me halle “shqiptarësh” në “play off”-in ndaj Irlandës së Veriut

08/11/2017 11:05

Mbrëmja e së enjtes në Belfast prezanton provën e parë, nga dy të tilla, që Zvicra duhet të kalojë për të qenë në Botërorin e futbollit, por edhe pse fillimisht u konsiderua favorite për t’u kualifikuar, skuadra helvete tani po has në probleme.

Futbollistët shqiptarë që përbëjnë bazën e formacionit të trajnerit Petkoviç nuk janë në kushte optimale, e për 3 prej tyre do të vendoset vetëm në fund, nëse do të jenë në fushën e “Windsor Park”.

Tre lojtarët shqiptarë, Valon Behrami, Admir Mehmedi dhe Blerim Xhemaili, kanë probleme fizike. Behrami është i lënduar në kofshë dhe për futbollistin e Udineses janë gati 3 alternativa: Remo Freuler, Denis Zakaria dhe Gelson Fernandes, që të 3 gjithsesi jo me eksperiencën dhe kualitetin e Behramit.

Një tjetër pikëpyetje për Zvicrën në “play off” është Admir Mehmedi. Sulmuesi i kamufluar nuk luan prej javësh me Bayer Leverkusenin dhe, pavarësisht grumbullimit, mund ta shohë ndeshjen nga stoli. Në rolin e tij pritet të luajë Steven Zuber, që bindi në suksesin 5-2 ndaj Hungarisë në tetor.

Blerim Xhemaili është pikëpyetja e fundit e Kombëtares zvicerane për “play off”-in që vlen një biletë në Botëror. Futbollisti shqiptar nga Tetova ka nisur pushimet e dimrit te skuadra e tij Montreal, e pavarësisht se është stërvitur te Bologna, gjendja e tij fizike lë për të dëshiruar.

Por, nëse për këta 3 shqiptarë trajneri Petkoviç ka dyshime, siguria për të enjten në mbrëmje vjen nga forma e mirë e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

Top Channel