Shaka e hidhur për Barçën, Neymar mund të bashkohet me Realin

08/11/2017 10:40

Do të duhet më shumë se një çek i majmë parash për të lëvizur brazilianin Neymar nga duart e sheikut Al Khelaifi te Paris St Germain, por ashtu siç nisi transferimi i tij në kampionatin francez, po përmes titujve alarmues të gazetave po paralajmërohet një tjetër lëvizje e bujshme.

Pas ikjes mes polemikave, kapiteni i Kombëtares braziliane mund t’i bëjë shakanë më të hidhur Barcelonës, me firmën potenciale te Real Madrid.

Neymar zbarkoi si një yll rroku në Paris këtë verë, për plot 222 milionë euro. Por edhe pse ka shënuar 11 gola në 12 ndeshje me ekipin transalpin, sipas medieve spanjolle ai po mendon të largohet para fundit të kontratës.

Babai i Neymar dhe presidenti i Realit të Madridit kanë folur mes tyre për rikthimin e sulmuesit në La Liga.

Ekipi “merengues” ishte favoriti për të blerë Neymarin nga Santos në vitin 2013, por futbollisti asokohe zgjodhi Barcelonën. Në Paris kanë frikë se, nëse nuk do të fitojnë një trofe të rëndësishëm këtë sezon, Neymar do të shtojë dëshirën për t’u larguar dhe te Reali janë gati ta presin, sa për arsye teknike, ashtu dhe për milionat e marketingut dhe zemërimin që mund të shkaktojë kjo lëvizje në Katalonjë.

Në “Parc des Princes”, Neymar është mes futbollistëve më të paguar në botë, por futbollisti brazilian mbetet i paparashikueshëm, ashtu si babai i tij, agjent dhe këshilltar kontrovers në karrierë.

Top Channel