Benevento, drejt një rekordi historik

08/11/2017 14:26

Benevento është vetëm 90 minuta larg thyerjes së një rekordi “të trishtë” të Manchester United, atë të 12 humbjeve radhazi në kampionat që nga fillimi i sezonit, pas humbjes që pësoi të dielën e kaluar me Juventusin.

Ndeshja, ku ekipi i ngjitur këtë sezon në Serie A mori kryesimin gjatë pjesës së parë, për t’u përmbysur në 45-minutëshin e dytë, barazoi në shifra rekordin mes 5 kampionateve më të rëndësishme të Europës, të vendosur nga “djajtë e kuq” në vitin e largët 1930.

Benevento do të përballet me Sassuolon më 13 nëntor, me shpresën që të mos jenë “të parët” për keq në historinë e futbollit elitar europian. Rekordi famëkeq i Manchester United i përket sezonit 1930-1931, kur ecuria negative prej 12 humbjesh radhazi u ndal në javën e 13 falë një fitoreje 2-0 ndaj Birminghamit. Atë vit, United përfundoi në fundin e tabelës së renditjes.

Beneventos do t’i duhet shumë punë për të bërë, për të shmangur rënien nga kategoria “me nivelin më të paktë të pikëve” të regjistruar ndonjëherë, një rekord që aktualisht mbahet nga Pescara e sezonit të kaluar të Serie A me vetëm 18 pikë në 38 ndeshje.

Pescara fitoi vetëm dy përballje në fushë, ndërsa një e tretë iu akordua në tavolinë në sfidën me Sassuolon, ku ky i fundit futi në fushë një lojtar të pafederuar në “fitoren” e fillimit të sezonit ndaj bardhekaltërve.

Benevento ishte shumë pranë festimit të “pikës së parë” në Serie A pak javë më parë, kur ndeshej me Cagliarin, sfidë në të cilën barazuan në minutën e 94-t për t’u mposhtur vetëm një minutë më vonë me gol të Pavolettit.

Top Channel