Grumbullimi i Shqipërisë në Antalia të Turqisë për një periudhë 6-ditore do të shërbejë si një minifazë përgatitore për skuadrën dhe si një grumbullim që trajneri të krijojë edhe më shumë konfidencë me skuadrën.

Në fakt, ajo që të bie më shumë në sy në këtë grumbullim është numri më i madh i mesfushorëve të rinj, në mungesë të Abrashit, Kukelit dhe Kaçes. Duket si një revolucion në këtë repart, ku përveç Ajdareviç që bën debutimin, Lilajt që më në fund e bindi, Ramadanit që do të importohet nga U-21, është edhe Qaka i thirrur në momentin e fundit. Njohjet për këtë të fundit janë minmale, jo vetëm për median, por edhe për trajnerin, që duket se ka marrë vetëm raportime “vëzhguesish”.

Mesfusha ka qenë gjithnjë reparti që ka kërkuar të vihet dorë dhe veç moshës së madhe të disa prej futbollistëve, dëmtimeve të herëpashershme, ka qenë edhe mungesa e fantazisë që ka shqetësuar. Trajneri ka idenë e tij për të ndryshuar lojën nëpërmjet këtij reparti, e shenjat e para pritet t’i japë që në Turqi, ku do të ketë edhe kohën më të gjatë të qëndrimit me skuadrën.

Ajdareviç pritet të jetë futbollisti që do të marrë vëmendjen më të madhe në përballjen e 13 nëntorit, pasi nga këtu mund të marrë formë edhe skuadra, që italiani do të përgatisë për kualifikueset e radhës. 27-vjeçari i rritur në shkollën suedeze të futbollit mund të luajë në të gjitha pozicionet e mesit të fushës, edhe pse ai ia ka bërë të qartë trajnerit Panucci se do të preferonte dhe do të shprehej më mirë nëse luante si fantazist, pozicion që pothuajse nuk ka ekzistuar në Kombëtare që pas largimit të Skelës.

Ndërkohë, një pikë e rëndësishme është edhe krahu i mjatë i mbrojtjes, që me lënien jashtë të kapitenit Agolli ngre shumë pikëpyetje. Për momentin, alternativat në këtë krah janë të pakta, me Balliun që nuk ka lënë shumë gjurmë, Alijin pa skuadër, por edhe Lenjanin që shumë pak herë është provuar në atë pozicion.

Panucci ka programuar të zhvillojë nga dy seanca në ditë me skuadrën, duke e ndarë ekipin në grupe sipas reparteve. Në këtë mënyrë, italiani ka më shumë kohë edhe për të ravijëzuar përfundimisht formacionin më të mundshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA