Partizani do të përpiqet të ristartojë sezonin nën drejtimin e Sulejman Starovës, pas 4 humbjesh, 3 fitoresh dhe 2 barazimesh, që i shkaktoi Mark Iuliano.

Në mbyllje të fazës së parë, nga 9 ndeshje, “të kuqtë” kanë grumbulluar vetëm 11 pikë dhe gjenden në vendin e gjashtë. Ky rekord negativ detyroi drejtuesit e Partizanit, pas humbjes së fundit me Kamzën, që të largojnë Iulianon, për të rikthyer të përhershmin Sulejman Starova.

“Kthimi te Partizani është një detyrim për mua, sepse unë nuk isha jashtë klubit, por kam qenë drejtor, këshilltar dhe trajner. Objektivi është që ne të fitojmë më shumë sesa kundërshtarët tanë në këto 3 faza. Nuk mund ta përcaktoj dot tani se ku mund të shkojmë, në vendin e parë apo të dytë. Shpresojmë të ngjitemi sa më lart”, është shprehur Starova.

Ndërkohë, pak ditë më parë në një intervistë për Top Channel, Luciano Moggi kishte theksuar se kushdo ta merrte këtë skuadër, nuk mund të bënte më shumë sesa Iuliano.

“Nuk më intereson se çfarë thonë të tjerët, në kuptimin pozitiv të fjalës. Sa i përket rezultateve të dobëta të Iulianos, mendoj se nuk është i pari ai, pasi këtu futen edhe të gjithë trajnerët e huaj që vijnë në Shqipëri, për të cilët koha është shumë e shkurtër dhe nuk u mjaftojnë pak muaj të njohin futbollin shqiptar, lojtarët dhe kundërshtarët”, shtoi më tej Sulejman Starova.

Fillimi i kësaj aventure të re të Starovës është një “deja vu”, megjithatë asnjëherë më parë sfida për të nuk ka qenë kaq e vështirë. “Të kuqtë” do të rifillojnë kampionatin me dy ndeshje në transfertë me Laçin dhe Kukësin, për të pritur më pas Skënderbeun në Tiranë.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA