NBA, Golden State e Boston triumfojnë sërish

07/11/2017 12:19

Golden State arrin të fitojë edhe kur është në statusin e skuadrës normale. Skuadra kampione në fuqi e NBA-së e tregoi këtë edhe në ndeshjen e luajtur në “Oracle Arena”, teksa mundi Miami Heat 97-80, duke regjistruar kështu fitoren e 7 në 8 ndeshjet e fundit.

Për Warriors, kjo është ndeshja e parë pas 18 muajsh që e fiton një sfidë me më pak se 100 pikë të shënuara. Fati i kësaj ndeshjeje për Golden State u vendos pikërisht në periodën e dytë dhe të tretë, e më i miri në parket për kalifornianët ishte Kevin Durant, me 21 pikë, 6 asiste dhe 8 topa në tabelë, ndërsa Curry këtë radhë u mjaftua me vetëm 16 pikë të shënuara.

Ndërsa për Miamin nuk mjaftuan 40 pikët e shënuara në total nga dyshja Johnson-Dragiç për të evituar disfatën. Me këtë fitore, Golden State i bashkohet Houston Rockets në krye të Konferencës së Perëndimit.

Në Lindje ndërkohë vazhdon dominimi i Bostonit. Këtë radhë, Celtics që janë në krye të renditjes së kësaj konference, mposhtën skuadrën e vendit të fundit Atlanta Hawks, 110-107, dhe tani ka një bilanc prej 9 fitoresh dhe 2 humbjesh.

Bostoni e bëri diferencën në parket pas pushimit të ndeshjes, duke qenë se 24 minutat e para u mbyllën në barazimin 54-54. Kyrie Irving ishte në një ditë të shkëlqyer për Celtics, duke shënuar 35 pikë në këtë ndeshje. Ishte pikërisht ish-lojtari i Cleveland, ai që në 12-minutëshin e tretë ndihmoi Bostonin të merrte kryesimin e sfidës, të cilën e mbylli pikërisht me rezultatin 110-107.

Në ndeshjen tjetër të NBA-së, Brooklyn Nets fituan në Arizona ndaj Phoenix Suns, me rezultatin 98-92, ku spikati D’Angelo Russell, me 23 pikë, 8 asiste dhe 6 topa në tabelë.

Top Channel