Interi lehtësohet, Icardi nuk ka pësuar dëmtim të rëndë

07/11/2017 12:31

Spalletti mund të qëndrojë i qetë. Kapiteni i zikaltërve nuk ka pësuar asnjë dëmtim të rëndë, e për të bëhet fjalë vetëm për një ndalesë disaditore, gjatë të cilave duhet t’i nënshtrohet fizioterapisë dhe një programi stërvitor të diferencuar.

Pas ndeshjes së Torinos, në shtëpinë e Interit u shqetësuan dhe iu frikësuan një dëmtimi të rëndë të Mauro Icardit, por testet mjekësore treguan se një pistë e tillë përjashtohet totalisht. Icardi pësoi vetëm një goditje, e për pasojë duhet të punojë i diferencuar.

Një gjë e tillë bën që Luçiano Spalletti “të flejë i qetë”, duke pasur parasysh se kampionatet janë ndalur për një javë, për shkak të impenjimeve të ekipeve kombëtare, disa në “play off”-e e disa të tjera në takime miqësore.

Lajmi konfirmohet edhe nga komunikata zyrtare e klubit të Interit, ku thuhet ndër të tjera se lojtari ka pësuar vetëm një goditje dhe inflamacion në pjesën e brendshme të gjurit të djathtë, gjatë takimit të së dielës kundër Torinos në “San Siro”. Për të parashikohen 4-5 ditë rikuperimi, përmes programit të diferencuar dhe do të jetë sërish në dispozicion të urdhrave të trajnerit Spalletti.

Top Channel