Në skandalin e “Paradise Papers” shfaqet edhe emri i kampionit të Botës në Formulën 1, Lewis Hamilton, që është një prej sportistëve më të pasur.
Sipas asaj që publikohet tek e përditshmja britanike “The Guardian”, Hamilton rezulton se ka kryer evazion fiskal prej 16.5 milionë paund, duke evituar pagesën e taksave të avionit të tij privat përmes përdorimit të “Isle of Man”, një skemë kjo që po hetohet nga organet tatimore britanike.
Mësohet se 4 kompani kontabiliteti dhe “Appleby”, firma ligjore që është në qendër të “Paradise Papers”, kanë ndihmuar Hamiltonin dhe dhjetëra klientë të tjerë që të krijojnë biznese fantazmë, nëpërmjet të cilave ata merrnin me qira avionët e tyre privatë.
Dy ekspertë të ligjeve, që e kanë studiuar mirë këtë skemë, kanë deklaruar se ajo është abuzive dhe tashmë duket se askush nuk i respekton më ligjet europiane.
Ndërkohë, e përditshmja britanike “The Guardian” thekson se qeveria e “Isle of Man” u ka kërkuar organeve tatimore britanike që të rishohin 231 rastet, ku vihet re një nivel më i ulët i taksave nga ajo që duhej, që nga viti 2011, e rezulton se vlera totale e shmangies së këtij tatimi ishte një miliard dollarë.
Për momentin duket se Hamilton nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në këtë skemë të evazionit fiskal, me britanikun që kishte deklaruar se ia kishte besuar këto praktika një përfaqësuesi ligjor.
Top Channel