Skandali “Paradise Papers”, zbulohen sekretet e super të pasurve

06/11/2017 10:33

Një rrjedhje e re e përmasave të mëdha e dokumenteve financiare tregon sesi më të fuqishmit e të pushtetshmit e globit, përfshirë dhe Mbretëreshën Elisabeth II, kanë kaluar në mënyrë të fshehtë sasi të shumta parash në parajsat e taksave “offshore”.

Plot 13.4 milionë dokumente të mbiquajtura “Paradise Papers” lidhin kompani të rëndësishme e figura politike me marrëveshje sekrete jashtë kufijve dhe skema të evazionit fiskal.

Me kalimin e orëve po zbardhen dalëngadalë emrat e personave të përfshirë në skandalin që detyron Sekretarin amerikan të Tregtise, Wilbur Ross, të japë përgjigje mbi lëvizjet e tij financiare dhe një raport, sipas të cilit nuk ka sqaruar marrëdhëniet me dhëndrin e Vladimir Putinit; që ka shtyrë autoritetet kanadeze të verifikojnë pretendimet mbi lidhjet e një donatori kyç të kryeministrit Justin Trudeau me trustet “offshore” në ishujt Karaibe; që vë me shpatulla pas muri investitorin e rëndësishëm të “Silicon Valley”, Yuri Milner, mbështetës i hershëm i Facebook-ut dhe partner në dy investime me bankën ruse të kontrolluara nga shteti, “VTB Bank PJSC”, përpara se ajo të kthehej në subjekt sanksionesh.

Mes mijëra faqeve të publikuara gjendet edhe emri i një ministri të qeverisë serbe, i cili ende nuk është bërë publik. Lista e zezë nuk mbaron këtu. Momente të sikletshme po përjeton edhe ish-drejtuesi i Partisë Konservatore britanike, Lord Ashcroft, kolosët amerikanë “Apple” e “Nike”, oligarkë e sipërmarrje me pjesëmarrje shtetërore ruse, të përfshira në disa vende si Malta e Kongo.

Llogari “offshore” rezulton të ketë edhe Madonna, Bono i “U2”-ve e Mbretëresha Rania e Jordanisë. Në qendër të skandalit është “Epwllbi”, firma juridike udhëheqëse e biznesit “offshore” me filiale në ishujt Kajman, Bermuda e Ishujt Virgine të Britanisë.

Ashtu siç ndodhi një vit më parë me “Panama Papers”, edhe këtë herë skandalin e nxjerr në dritë gazeta prestigjioze gjermane “Süddeutsche Zeitung”, e cila kërkoi ndihmën e konsorciumit ndërkombëtar të gazetarëve investigativë për mbikëqyrjen e dokumenteve të hetuara edhe nga britanikja “The Guardian”.

Në dosje përmenden disa emra të rrethit të ngushtë të Donald Trump, përfshirë Sekretarin e tij të Shtetit dhe kryekëshilltarin për çështjet ekonomike, Gary Cohn.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA