Bashkia e Tiranës hapi tenderin për të dhënë me koncesion ndërtimin e 5 shkollave të reja në kryeqytet, përkatësisht në njësitë minibashkiake 9 dhe 11.
Sipas njoftimit zyrtar të agjencisë së prokurimeve publike, kostoja e vlerësuar e këtyre projekteve përllogaritet në 4.5 milionë euro. Por vlera e tyre reale do të përcaktohet nga ofertat e kompanive në tender, i cili pritet të mbahet në datën 27 dhjetor.
Sipas projektit, shkollat do të ndërtohen me paratë e kompanive private në troje që do të ofrohen nga vetë bashkia. Afati për ndërtimin e tyre është një vit e gjysmë nga fillimi i punimeve dhe pas ndërtimit bashkia do e paguajë kompaninë fituese me këste për një periudhë 7 vjecare deri në shlyerjen e plotë të investimit.
Sipas njoftimit të agjencisë së prokurimeve, tenderi do të jetë i hapur. Kompanitë private do të garojnë sipas disa kritereve të paracaktuara, ku gjysmën e pikëve i ka oferta financiare, pra kush ofron cmimin më të ulët dhe gjysmën tjetër kriteret teknike.
Tenderi për ndërtimin e 5 shkollave në njësinë minibashkiake numër 9 dhe atë nr 11 është pjesë e një koncesioni, i cili përfshin ndërtimin e 20 shkollave të reja në kryeqytet përmes partneritetit publik privat. Sipas Bashkisë, ndërtimi i këtyre shkollave do të bëjë të mundur eleminimin plotësisht të mësimit pasdite dhe uljen e numrit të nxënësve në klasa.
Top Channel