Pionierët në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale i bënë thirrje qeverive australianë dhe kanadeze që të ndalojnë me ligj robotët vrasës para një samiti të OKB mbi armët që zhvillohet këtë muaj.
Studiuesit kryesorë nga këto vende i kërkuan kryeministrave Malcolm Turnbull dhe Justin Trudeau që të mbajnë qëndrim kundër armëve autonome, duke thënë se zhvillimi dhe përdorimi i tyre kalon një kufi të qartë morale.
Inteligjenca artificiale mund të përdoret për të krijuar armë që operojnë pa mbikëqyrje njerëzore, duke i dhënë tyre aftësinë që bredhin në zona të caktuara dhe të marrin vendime për jetë apo vdekje pa miratimin e një kontrollori ushtarak.
Letra me kërkesën për qeveritë e Kanadasë dhe Australisë u firmos nga qindra specialistë, përfshirë Geoffrey Hinton, një pionier i inteligjencës artificiale që punon për Google dhe Ian Kerr, profesori etikës, ligjit dhe teknologjisë në Otaua.
Ekspertët thonë se gara për të ndërtuar robotë vrasës do të sjellë revolucionin e tretë në luftë-bërje, pas barutit dhe armëve bërthamore.
Ata thonë se ushtritë me robotë janë mjeti perfekt për të shtypur popullsinë civile dhe ndryshe nga njerëzit, nuk kanë pse të binden që të kryejnë mizori, mjafton të programohen.
Prodhuesit e armëve prej vitesh e kanë nisur garën për tregun e ri dhe kanë ndërtuar mjaft prototipe armësh autonome, si roje robot, tanke autonomë dhe drone që mund të diktojnë dhe sulmojnë një objektiv pa u komanduar nga askush.
Ekspertët kërkojnë që OKB të ndërhyjë dhe të ndalë këtë garë te re armatimesh që sipas tyre mund të sjellë fundin e racës njerëzore siç e njohim ne.
Top Channel