Godelli, mundësia e fundit nga SHBA. Kombëtarja e Peshëngritjes, e përgjysmuar në stërvitje

06/11/2017 15:27

Grumbullimi i Kombëtares shqiptare të Peshëngritjes ka filluar jo i plotë në qytetin e Durrësit.

Në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” ishin të pranishëm vetëm dy nga 6 sportistët që do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Botërorin që do të zhvillohet në Florida nga data 28 nëntor.

Daniel Godelli ka ndërprerë për momentin stërvitjen që pas refuzimit të dytë të bërë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë për vizën, megjithatë duket se do të ketë edhe një mundësi.

Më 13 nëntor, ai është njoftuar që të paraqitet pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për intervistën e radhës, që do të jetë mesa duket edhe mundësia e fundit për t’u pajisur ose jo me vizë, në prag të Botërorit.

Ndërkohë, pa ndërprerje vazhdon stërvitja e Erkand Qerimajt, i cili ndiqet nga trajneri i tij Zef Kovaçi.

Gjithashtu, në palestrën e pallatit të sportit në Durrës vazhdon të përgatitet edhe Krenar Shorja, nën përkujdesin e trajnerit të ekipit kombëtar, Artur Lagja.

Në listën e sportistëve që do të marrin pjesë në këtë kampionat janë edhe Briken Çalja, i cili mungonte në ditën e parë të grumbullimit, së bashku me dy peshëngritëset femra: Romela Begaj dhe Evangjeli Veli.

Edhe pse në një situatë të paqartë për sportistët që do të shkojnë dhe për formën e tyre, dy pretendentët e Kombëtares shqiptare të Peshëngritjes mbeten Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, gjithnjë nëse ky i dyti do të ketë mundësinë për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara.

Top Channel