NBA, Harden shënon 56 pikë ndaj Utah. Kriza e Cleveland s’ka fund

06/11/2017 11:10

Pas 57 pikëve të shënuara nga LeBron James disa net më parë, tashmë i erdhi radha James Hardenit të tejkalojë kuotën e 50 pikëve gjatë fitores 137-110 të Houston Rockets përballë Utah Jazz. “Mjekroshi” shënoi plot 56 pikë, me një përqindje realizueshmërie të jashtëzakonshme nga parketi, 76%, ose 19 nga 25 gjuajtjet.

Me këtë sasi pikësh, Harden firmos rekordin e tij të ri në karrierë dhe i lejon Houston Rockets të shënojnë fitoren e 8 në këtë fillimsezoni, që vlen edhe vendin e parë në Konferencën e Perëndimit.

Përballja mes tyre nuk u vu asnjëherë në diskutim, me të zotët e shtëpisë që morën komandën që në fund të periodës së parë (28-39), për të mos lëshuar më kurrë.

Një natë rekordi për Harden, që duke kombinuar pikët me përqindjen e realizueshmërisë, bën të rijetohet një rekord që nuk shihej prej 61 muajsh.

Dikur ishte Karl Malone që asokohe, më 26 janar 1990, shënonte kundër Bucks një realizueshmëri prej 21 gjuajtjesh nga 26 në total.

Nata e djeshme, megjithatë, ishte për t’u harruar për Los Angeles Clipper, që humbën 104-101 ndaj Miami Heat, e që duhet të bëjnë pa shërbimet e Danilo Gallinarit të dëmtuar, i cili la parketin në fund të pjesës së parë.

Ekipi nga Florida, Miami Heat u udhëhoq nga Goran Dragiç, ndërsa kalifornianët po merreshin “përdore” pikërisht nga italiani, ndeshja e të cilit nuk zgjati shumë.

Edhe për Cleveland Cavaliers duket se momenti i krizës nuk po ndalet. Tashmë ata u mposhtën nga Atlanta Hawks me rezultatin 115-117. Për Cleveland, kjo ishte humbja e gjashtë në këtë fillimsezoni, ndërkohë që nuk mjaftuan as 26 pikët dhe 13 asistet e “të përzgjedhurit”.

Një fitore e rëndësishme për San Antonio Spurs, që iu imponuan 112-95 Phoenix Suns, duke i lejuar trajnerit Gregg Popovich të kalonte Phil Jacksonin sa i përket numrit të fitoreve në karrierën e një drejtuesi: 1.156 për trajnerin teksan, që ngjitet tashmë në vendin e 6 të klasifikimit të të gjitha kohërave.

Top Channel